QËNDRIMI DËSHPËRUES I SHTETEVE EVROPIANE KARSHI SPASTRIMIT ETNIK TË MUSLIMANËVE SHQIPTARË DHE BOSHNJAKË NGA SERBËT

0
413

 

Në kohën bashkëkohore, tokat shqiptare kanë përjetuar zhvillime dhe ndryshime të mëdha, nga të cilat edhe spastrimin etnik dhe largimin e dhunshëm të banorëve autoktonë. Ata u detyruan në mënyrë të dhunshme të lëshonin vendet e tyre dhe të merrnin botën në sy, pa ditur fare se ku po shkonin. Ishte ky një plan famëkeq, i përpiluar nga rusët, serbët dhe bullgarët, dhe i përkrahur dhe monitoruar nga vendet evropiane përreth. Për fat të keq, ky qëllim apo kjo strategji, në pjesën më të madhe të saj, është realizuar. Një pjesë e madhe e shqiptarëve u larguan nga tokat e tyre, në të cilat më pas u vendosën hordhitë serbe, ruse, bullgare e malazeze.

Në Kongresin e Berlinit ndodhi e keqja më e madhe apo u bë tregti me tokat             shqiptare. Serbisë iu dhanë shumë toka shqiptare, kurse organizatorët e Kongresit nuk e panë të nevojshme pjesëmarrjen e një delegacioni nga Kosova në punimet e Kongresit, prandaj edhe nuk iu dhanë leje për të marrë pjesë. Kështu, ata i mohuan botërisht të drejtat e shqiptarëve, madje mohuan edhe identitetin e tyre shekullor, duke mos i thirrur si shqiptarë por si turq.

Motivet që i shtynë shqiptarët të largoheshin nga vendi i tyre ishin fetare, ekonomike dhe politike. Sigurisht se shkak kryesor mbetet shërbimi i detyruar ushtarak në ushtrinë serbe, e që, pos tjerash, nënkuptonte veshjen e veshjeve të tyre, si dhe ngrënien e ushqimeve të tyre, gjëra këto që ishin në kundërshtim me fenë e tyre[1].

Historia ka regjistruar krimet makabre të kryera nga serbët ndaj muslimanëve shqiptarë. Ata ua dhunonin atyre gratë, ua plaçkitnin pasuritë, i bllokonin dhe fusnin në embargo, i digjnin për së gjalli në xhami, ua shkatërronin pasuritë e përgjithshme etj.

Shqiptarët u menduan mirë për pasojat që do të kishte rënia eventuale nën zgjedhën serbe, jo vetëm në aspektin fetar por dhe në atë kombëtar, andaj edhe vendosën të emigronin[2]. Shkak tjetër ishte edhe përvoja e hidhur e muslimanëve bullgarë, të cilët, për t’i shpëtuar masakrave dhe krimeve, pranuan të konvertoheshin në të krishterë ortodoksë, gjë kjo e papranuar për shqiptarët, andaj edhe morën rrugën e kurbetit, si zgjidhje me pasoja më të vogla[3]. Ata hoqën të zitë e ullirit nga presioni sllavo-krishterë, i cili tërë këtë presion dhe dhunë e ushtronte në emër të sllavizmit dhe krishterimit ortodoks[4].

Ka hulumtues që shkaqet e migrimit ia faturojnë çështjes ekonomike, por kjo mund të thuhet vetëm për një pjesë, mbase të pavërejtur, dhe jo si shkak i përgjithshëm. Kjo teori thotë se shekulli i XIX-të përjetoi një lloj bumi industrial andaj edhe pati migrime masive. Vetëm në Stamboll migruan hiç më pak se 60.000 (gjashtëdhjetëmijë) shqiptarë, ndërsa prej aty migronin më pas në Greqi, Rumani, Rusinë Jugore, Amerikë, Australi etj. Madje, ata që kanë migruar të shtyrë nga faktori ekonomik janë shqiptarët e konfesionit të krishterë ortodoksë[5].

Ndikim të madh në këto veprime politike patën edhe orientalistët serbë. Vlerësohet se politikanët i bindeshin fjalëve të tyre dhe kishin bashkëpunim të madh në çështjen e spastrimit. Ishin orientalistët ata që përgatitën rrugën e spastrimit dhe ne mund ta vërejmë këtë gjë shumë qartë në idetë e tyre të shprehura në letër. Ata mbronin idenë se Serbisë mund t’i garantohet qetësia vetëm atëherë kur ta ketë pastruar shtetin nga çdo element josllav, ndërsa, për habinë e të gjithëve, migrimet e shqiptarëve i shihnin si çështje private të tyre dhe jo se ata i ishin nënshtruar ndonjë presioni apo imponimi prej tyre[6].

Historia na flet se migrimet masive të shqiptarëve bëheshin për shkak të marrëveshjeve sekrete turko-jugosllave, ndërmjet viteve 1939-1944, kur në Turqi nuk kishte më asnjë element të sundimit islam. Kjo marrëveshje nënkuptonte që tokat e shqiptarëve të banoheshin më pas nga serbët e ardhur. Llogariten diku rreth 8.000 familje shqiptare të deportuara me dhunë, familje këto nga qytete të cilat asokohe ishin pjesë e Kosovës ndërsa sot janë pjesë e Serbisë, si: Leskovci, Prokuplja, Vranja, Kurshumlia dhe Piroti[7]. Procesi i migrimit ishte tejet barbar. Shqiptarëve iu digjeshin shtëpitë, iu granatoheshin fshatrat, iu konfiskoheshin pasuritë etj. Vetëm në fillim të shek. të XX-të, janë djegur tërësisht 182 fshatra me banorë shqiptarë muslimanë[8].

Rusët patën armatosur bullgarët ortodoksë[9] dhe i patën nxitura ata për luftë kundër muslimanëve vendas, ndërsa qeveria malazeze i kërcënonte muslimanët lokalë se, po nuk u armatosën për luftë kundër muslimanëve, do t’i dëbonte jashtë shtetit[10]. Sipas statistikave, ndërmjet viteve 1877-1879, nga Ballkani janë larguar në mënyrë të dhunshme jo më pak një milion muslimanë shqiptarë[11], prej të cilëve 200.000 ishin nga Kosova.

Tjetër çështje që të çudit, por për të keq, është edhe ajo e udhëtimit, respektivisht mjeteve transportuese. Janë për të të habitur veprimet e shtetit osman, gjithsesi të këtij që po merrte frymëmarrjet e fundit, që për këtë migrim të dhunshëm të shqiptarëve pati huazuar me pagesë anije transportuese nga Anglia, Franca, Austria, Egjipti, Rusia, ndërsa destinacioni i “refugjatëve” ishte për në Izmir, Samsun, Çanakkale, Stamboll dhe Edirne57. Në fakt, këto nuk ishin qytetet e vetme ku vendoseshin ata, pasi kishte prej tyre që mësynin Anadollin, Sirinë, Damaskun, Ujdhesën Arabe, Selanikun etj.

Konsideroj se, në këtë rast, ia vlen të përmendim vlerësimet e një lideri ekstremist serb, i njohur si bajraktar i deportimit të dhunshëm të muslimanëve, Vasha Çubrilloviçit, i cili thotë: ‘Procedura e deportimit të turqve (shqiptarëve, boshnjakëve, turqve dhe çerkezëve) dhe banimi i tyre me serbë dhe malazezë58 është realizuar me ritëm më të mirë se që kemi pritur dhe kemi planifikuar… Serbët e persekutuar nga shqiptarët[12], dhe të cilët patën ikur nga zona të thella malore, zbritën në këto fshatra dhe qytete. Vendbanimet shqiptare u ndërruan me ato serbe, edhe pse këto të fundit nuk kishin ekzistuar më parë…

Pasojat politike dhe shoqërore të detyrimit të shqiptarëve për t’u larguar nga vendet e tyre do të krijonin një hendek dialogu dhe bashkëjetese ndërmjet tyre dhe serbëve, i cili vazhdon së ekzistuari edhe sot, e mbase do të vazhdojë edhe për kohë të gjata[13].

  • Rizaj, Skënder, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 80; Poullton, Hough, Muslim identity and the Balkan State, f. 146-148.
  • Statistikat e viteve 1905-1906 tregojnë se prania e muslimanëve ishte shumë e theksuar në trojet shqiptare, por ata më pas qenë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe vendet e tyre.
Nr. Vendi  Muslimanë  Të tjerë 
1. Prishtinë 254,605 (shqiptarë) 110,310       (shqiptarë       katolikë        dhe

ortodoksë, serbë, bullgarë, romë.)

2. Pejë 139,901 (shqiptarë) 45,784 (shqiptarë katolikë dhe ortodoksë, serbë)
3. Novi Pazar 27,980 (shqiptarë dhe turq) 19,795 (shqiptarë të krishterë dhe serbë)
4. Shkup 90,840 (shqiptarë) 60,706 (shqiptarë katolikë dhe serbë)
5. Prizren (duke përfshirë këtu edhe Tetovën dhe Gostivarin) 158,742 (shqiptarë) 15,323 (shqiptarë katolikë dhe ortodoksë); 11,606 (serbë); 473 (romë).
6. Manastir 457,994 (shqiptarë dhe turq) 264,008 (shqiptarë ortodoksë dhe vlleh);

198,335  (bullgarë); 55,108  (grekë); 2,760  (romë) dhe 354 (shqiptarë katolikë dhe protestantë).

7. Vilajeti i Janinës 227,484 (shqiptarë) 213,281 (shqiptarë ortodoksë dhe vlleh); 91, 991 (grekë) dhe 4,906 (çifutë).
Burimi: http://www.ess.uwe.ac.uk/kosovo/chap1.htm

 

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

BARRIERAT E DIALOGUT DHE SHKAQET E DËSHTIMIT TË TIJ NË KOHËN BASHKËKOHORE(përvoja e Kosovës me serbët si shembull)


[1] Rizaj, Skënder. Lidhja shqiptare e Prizrenit, f. 79.

[2] McCarthy, Justin. Death and exile, f. 138-141.

[3] Ibid, f. 152-153.

[4] Për më shumë shih: Cana, Zekeria. Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullatën shqiptare 19121913, f. 11; Ajdini, Azem. Masakra e Tivarit Serbo-Malazeze; Kansu, Huseyin. Kosova ikinci Bosna olmasin, f. 11-33; Bajrami, Hakif. Kosova – njëzet shekuj të identitetit të saj – argumente historike, f. 77-81; Kola, Harrila. Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në viset e tyre etnike në Jugosllavi 1941-1967, f. 116-222.

[5] Për më shumë shih: Thengjilli, Petrika. Historia e Shqipërisë, f. 27; Mufaku, Muhamed. Shqiptarët në botën arabe, f. 97-130; Silajxhiç, Haris. Shqipëria dhe SHBA-të në arkivat e Washingtonit, f. 25-42.

[6] Rizaj, Skënder.  Lidhja Shqiptare e Prizrenit;  Zamir, Shtylla. The deportation of Albanians in Yugoslavia after The Second World War 1950-1966, f. 233-239; Cubrilovic, Vaso. The problem of minorities in the new Yugoslavia, f. 301-306.

[7] Pllana, Emin. On the deportation of albanians from the territory of Sandjak of Nish of Kosova 1877-1878, f. 73-78.

[8] Bajram, Hakif. Kosova – njëzet shekuj të identiteti të saj, f. 84.

[9] Skënder Rizaj mbron mendimin se, ashtu siç ka rrëfyer edhe ambasadori anglez në Stamboll, qëllimi i rusëve me këto veprime ishte pushtimi i Ballkanit dhe përvetësimi i pasurive dhe pronave të muslimanëve. Shih: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 81.

[10] Rizaj, Skënder, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 79; McCarthy, Justin. Death and exile, f. 8891.

[11] Rizaj, Skënder, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 80.

[12] Skënder Rizaj e demanton këtë thënie të Çubrilloviçit duke thënë se nuk ka asnjë dëshmi se shqiptarët i kanë dëmtuar serbët. Të gjitha ato janë farsa, gënjeshtra dhe shpifje që vetëm serbët mund t’i sajojnë. Shih: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 97-98.

[13] Rizaj, Skënder, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 93.