RAPORTET E PEJGAMBERIT [alejhis salatu ves selam] DHE SELEFIT ME KUR’ANIN FISNIK

0
97

Për të qenë zemra e besimtarit e gjallë dhe për të rrahur bashkë me Kur’anin, konsideroj se një gjë që do të dikonte shumë pozitivisht në këtë drejtim është edhe përmendja e raporteve të Muhammedit [alejhis salatu ves selam], Sahabeve [Allahu qoftë i kënaqur me ta!] dhe gjeneratave vijuese me Kur’anin!

Imam Muslimi transmeton nga sahabiu i nderuar, Hudhejfeja [Allahu qoftë i kënaqur me të!] i cili rrëfen për vete:
Një natë u fala me të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam], i cili e filloi namazin me kaptinën el-Bekare. Lexoi gjatë ndërsa unë thashë se tek njëqindshi i parë bën rukunë! Por, vazhdoi derisa thashë se me të po e përfundon një rekat. Ai vazhdoi filloi ta lexonte kaptinën en-Nisa, pastaj Ali Imran. E lexonte me qetësi.

Kur lexonte ndonjë ajet madhërimi, e madhëronte Allahun, kur lexonte ndonjë ajet të lypjes, i lypte Allahut (falje, mirësi), e kur lexonte ndonjë ajet të mbrojtjes, kërkonte mbrojtje tek Allahu (nga djalli i mallkuar)…”

Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e ftonte Ummetin në meditimin dhe studimin e Kur’anit. Kur u shpallën ajetet 190-191 nga kaptina Ali Imran:

Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.

Për ata që Allllahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”

…Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], si rrëfen Ajsheja [Allahu qoftë i kënaqur me të!] u ngrit në një natë dhe tha: O Ajshe! Më lër ta adhuroj Zotin tim!

Pasha Allahun! Unë e dua afërsinë tënde (qëndrimin me mua) por e dua edhe atë që ty të bën të gëzuar ,- pastaj vazhdon Aisheja rrëfimin e thotë,U ngrit, mori abdes dhe filloi të falej ndërsa nuk e ndali të qarit derisa iu lag prehri. Qau prapë aq shumë dhe nuk u ndal derisa iu lag edhe toka (vendi ku falej).

Erdhi Bilalli të kërkonte leje për namaz (ta thërriste ezanin), por kur e pa në atë gjendje duke qarë, i tha: O i Dërguari i Allahut, po qan ndërsa Allahu të ka falur mëkatet e mëparshme dhe ato të mëvonshme?! A të mos jam rob falënderues –ia ktheu ndërsa shtoi më pas: Më janë shpallur dy ajete, mjerë për atë që i lexon e nuk i mediton!”15 Ibni Abbasi, ky sahabi i nderuar, ka thënë: “Të falësh dy rekate namaz me meditim është më mirë se të falësh tërë natën pa zemër (pa këtë përkushtim).”

Fudajl Ibn Ijjadi thoshte: “Kur’ani, në të vërtetë, është shpallur që të punohet sipas tij, kështu që njerëzit e kanë marrë leximin e tij si punë. E si punohet sipas tij? – e pyetën. Tha: Duke lejuar të lejuaren e tij, duke ndaluar të ndaluarën e tij si dhe duke qëndruar te çudirat e tij!”

Është vërtetuar se nga gjeneratat e para ka patur burra të cilët e kanë kaluar tërë natën duke medituar vetëm një ajet. Preokupimi i tyre nuk ka qenë vetëm hatmeja e Kur’anit, pra leximi i tërë Kur’anit, por meditimi dhe studimi. Muhammed Ibn Ka’b el-Kuredhijj ka thënë: “Që të lexoj gjatë tërë natës vetëm kaptinën el-Zelzele ose el-Kariah, por duke i medituar, është më e dashur për mua se sa ta lexoj tërë Kur’anin duke nxituar.”

Temim ed-Dari e kishte kaluar tërë natën duke lexuar vetëm këtë ajet:
“A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t’i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?“ (el-Xhathije, 21)

Seid Ibn Xhubejri e kaloi një natë të tërë duke përsëritur vetëm këtë ajet: “E tash, o ju kriminelë, ndahuni! “ (Jasin, 59)

Disa nga të parët thoshin se nuk konsiderojnë të shpërblehen nga Allahu nëse e lexojnë një ajet ndërsa nuk e kuptojnë atë. Sulejman Darani thoshte se ndonjëherë leximi i një ajeti i merrte katër ose pesë netë, dhe sikur unë të mos e ndalja meditimin në të, nuk do të mund të kaloja tek ajeti tjetër.

Njëri nga të parët – selefi – kishte kaluar plot gjashtë muaj në meditimin e kaptinës ‘Hud’.
Një njeri i mençur ka thnë: Unë çdo javë kryej një hatme, po kështu dhe për çdo muaj nga një, e edhe në vit një, vetëm se kam një hatme që për tridhjetë vjet ende nuk po mund ta mbaroj.
Pra, kjo flet për meditimin dhe studimin e Kur’anit.

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
MEDITIMI I KUR’ANIT FISNIK -edukata dhe parimet