SEKRETI I PËRZGJEDHJES SË GADISHULLIT ARABIK PËR SHPALLJEN E FUNDIT HYJNORE

0
759

 

Ishte dëshira dhe vullneti i Allahut që përcaktuan Gadishullin Arabik si vendin në të cilin do të paraqitej i Dërguari i fundit i Allahut për njerëzimin, ndërsa arsyen e kësaj përzgjedhjeje do ta kuptojmë vetëm atëherë kur të bëjmë një krahasim ndërmjet këtij gadishulli dhe vendeve përreth në zakonet, traditat dhe fetë e tyre.

  1. Evropa

Jetesa e popujve evropianë i ngjante një ferri të vërtetë. Ata shquheshin për injorancë, analfabetizëm, luftëra të përgjakshme, shpërbërje familjare dhe ishin larg çdo civilizimi të mirëfilltë, shkencës dhe edukatës. Ishin të ndytë dhe nuk e përdornin fare ujin për pastrim, sidomos klerikët e tyre fetarë. I ndëshkonin ashpër njerëzit, ndërsa për gruan diskutonin nëse ishte kafshë apo njeri, nëse kishte shpirt të përjetshëm apo jo, nëse kishte të drejtën e shitblerjes apo jo… Disa hulumtues e kanë konsideruar Evropën, ndërmjet shekujve V-X-të, si një cofëtinë kulturore e cila po kundërmonte, ndërsa mësimet e saj po zhdukeshin… Bënin jetë të shthurur, ndërsa ligji që sundonte ishte ai i xhunglës…

Me një fjalë, shekulli në të cilin u dërgua Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ishte njëri ndër më të errëtit e historisë së njerëzimit, ishte më pesimisti i mundshëm përgjatë gjithë shekujve… Ishte kohë e fanatizmit, jotolerancës. Ndërmjet shtetit sasanid dhe atij bizantin zhvilloheshin luftëra… Kaosi politik dhe shoqëror patën një rol tepër të madh në zhdukjen e kësaj shtrese sikurse ishin faktorët më të rëndësishëm të paralizimit të mendimit njerëzor…[1]

  1. Perandoria romake lindore

Është e njohur si Perandoria Romake bizantine, ndërsa arabët e njohin si ‘Roma.’ Sundonte disa shtete dhe kontinente, si: Greqinë, Ballkanin,  Azinë e Vogël, Sirinë, Palestinën, Egjiptin, Afrikën Veriore, ndërsa kryeqytet kishte Kostandinopojën (Stambollin). Historiku i saj fillon në vitin 395 dhe mbaron përfundimisht më 1454, atëherë kur shteti osman mbizotëron mbi Stambollin.

Në këtë shtet ndodhën probleme dhe trazira të shumta, për shkak të të cilave në vitin 532 humbën jetën jo më pak se 30.000 veta. Jeta e tyre ishte përplot kundërthënie. Ata ishin shumë kureshtarë dhe tepër të dhënë pas muzikës, lojës dhe dëfrimit. Arenat e gladiatorëve ku luftohej deri në vdekje, ndonjëherë njeriu kundër njeriut e ndonjëherë edhe kundër egërsirave, ishin vendet në të cilat tuboheshin kolektivisht për t’u dëfryer. E donin dhunën dhe lojërat vrastare. Ndëshkimet i kishin të rrëqethshme. Liderët e tyre bënin jetë luksoze dhe të mbushur përplot me të këqija. Egjipti ishte një ndër kryeqendrat e shtetit bizantin. Ishte i pasur por vuante nga persekutimet fetare dhe politike. Romakët e konsideronin Egjiptin si një dele, e cila milej mirë por nuk e ushqenin mirë. Edhe Siria ishte një ndër qendrat e rëndësishme të shtetit bizantin. Atë e kishin lënë nën administrimin e të huajve, të cilët e keqtrajtonin shumë popullsinë vendase dhe e ngarkonin me gjëra, për përmbushjen e të cilave detyroheshin të shisnin madje edhe djemtë e tyre. Përjetonin tmerrin më të rëndë të mundshëm…[2]

 

  1. Perandoria iraniane

Kjo perandori u themelua në v. 224 nga Erdeshiri. Ajo sundonte Persinë, Azerbajxhanin, Taberistanin, Serhasin, Xhurxhanin, Kermanin, Belhin, Horasanin, Irakun, Jemenin, si dhe disa pjesë të Indisë. Zoroastrizmi ishte feja e tyre, ndërsa Zoroastro ishte shfaqur në shek. e VII-të para erës sonë. Pushtetarët dhe udhëheqësit e patën përqafuar si fe të tyren. Prej filozofisë së saj ishte edhe ajo se martesa e njeriut me nënën, vajzën apo motrën e vet preferohej, madje vetë Yazdegerd II ishte martuar me të bijën[3].

Kjo fe, që nga fillimi i saj, e kundërshtonte idenë e luftës ndërmjet dritës dhe errësirës, shpirtit të së mirës dhe shpirtit të së keqes, zotit të së mirës dhe zotit të së keqes… Reformatori i saj, Mani, i cili u shfaq në shek. III-të gregorian, ftoi në murgëri (largim nga martesa), për të ndalur të keqen dhe trazirat në botë. Ai kishte shpallur se bashkimi i dritës dhe territ është diç prej së cilës duhet shpëtuar, kështu që ai e ndaloi martesën, për t’i mundësuar dritës të triumfojë ndaj errësirës. U internua për vite pastaj u kthye në Iran…[4]

Pastaj, në shek. e V-të paraqitet një tjetër devijues i humbur, emri i të cilit ishte Mazdek. Ai ftonte në lejimin e pasurive dhe grave dhe se njerëzit mund të ishin ortakë në to. Si rezultat, njerëzit hynin në shtëpi të ndryshme, merrnin pasurinë dhe çnderonin gratë. Në një dokument historik iranian të njohur si ‘Nametenser’ thuhet: Nderi qe shkelur, ligji nuk respektohej dhe si pasojë qe formuar një gjeneratë që nuk njihte vlera, punë dhe që nuk kishte të kaluar krenare… Nuk iu interesonte asgjë… Papunësia ishte sinonim i tyre… Ishin të aftë dhe të zotë për bartje fjalësh, punë të këqija, shpifje dhe akuza. Kjo ishte gjëja me të cilën ata fitonin jetesën dhe arrinin tek pasuria dhe fama…

Rezultat i këtyre bindjeve dhe ideve ishte edhe revolucioni i bujqve grabitës, të cilët sulmuan pallatet e të pasurve, duke ua grabitur pasurinë dhe gratë, si dhe pronat dhe gjësendet e tjera.

Ndërsa në kohën e sasanidëve, kohë kjo që llogaritet të jetë ndër më të mirat në Iran, në shek. e VI-të, gjendja ishte e rëndë. Populli ishte nën mëshirën e mbretërve, të cilët përcaktoheshin sipas trashëgimisë. Ata e konsideronin veten më me vlerë se tjerët, madje mbi gjithë të tjerët dhe (preferonin të) thirreshin si ‘zot’… Të gjitha burimet e të ardhurave të shtetit ishin në duart e tyre. Ata kishin shërbëtorë, gra, robëresha, djelmosha (shërbëtorë), si dhe mësues kafshësh. Një gjë të tillë e dëshmon edhe fakti se mbreti i tyre i fundit, Yazdegerdi, kur iku nga kryeqyteti për shkak të çlirimit islam, kishte marrë me vete 1000 kuzhinier, 1000 këngëtarë, 1000 mësues – rritës tigrash, 1000 rrobaqepës dhe pjesë të tjera të suitës së tij.

Populli jetonte në kushte jashtëzakonisht të këqija. Varfëria në njërën anë dhe taksat e larta shtetërore në anën tjetër ia kishin humbur shijen jetës. Ata jetonin sikur kafshë nën kthetrat e dy perandorive, asaj sasanide dhe asaj bizantine. [5]

  1. India

Populli i Indisë shquhej për shkencat matematikore, për astronomi, mjekësi dhe ishte i zhytur thellë në filozofi. Historianët pajtohen se etapa më e errët e Indisë, si në aspektin fetar po kështu edhe në atë shoqëror dhe moral, ishte në fillim të shekullit të VI-të gregorian. Faltoret tanimë ishin vende për punë të pista. Gruaja nuk kishte asnjë vlerë a të drejtë. Ajo madje jo rrallëherë edhe humbej e fitohej në bixhoz. Ndërsa kur i vdiste burri, pothuajse edhe ajo vdiste. Ajo nuk kishte të drejtë martese dhe as që meritonte respekt. Ishte përhapur edhe dukuria e djegies së tyre pas vdekjes së burrit, sidomos në shtresën aristokrate, si shenjë respekti për burrin e vdekur dhe ikje nga dëshpërimi. Kështu vazhdoi derisa India u kolonizua nga Anglia. India dallohej nga vendet fqinje për dallime të mëdha shtresore dhe dallime ndërmjet individëve. Ekzistonte një sistem brutal, që përkrahej edhe nga feja dhe besimi. Ligjvënësit indianë në ligjin e tyre qytetar, që kishte një sfond fetar, i kishin ndarë banorët e Indisë në katër shtresa:

  • Brahmanët – shtresa e priftërinjve dhe klerikëve,
  • Ksatija –shtresa e luftëtarëve dhe sovranëve,
  • Vaisija – shtresa e tregtarëve dhe artizanëve, dhe
  • Shudra –shtresa e shërbëtorëve.

Në fakt, kjo e fundit ishte shtresa më e ulët dhe nuk kishte të drejtë tjetër veçse t’iu shërbente tri shtresave të mëparshme….

Ky ligj ua dha brahmanitëve një pozitë të cilën shudranët nuk mund ta kishin. Brahmani ishte njeri me mëkate të falura, nuk i obligohej asnjë obligim material, sikurse që në asnjë rast nuk mund t’i shqiptohej dënimi me vdekje. Shudranët nuk e kishin të drejtën e përfitimit të parave apo deponimit të tyre, sikurse që nuk mund të qëndronin me brahmanët, as t’i preknin me duar dhe as të mësonin prej librave të shenjtë.

India jetonte e izoluar nga bota dhe dallohej për zakone dhe tradita të këqija. Po ashtu ajo dallohej për dallimet e thella ndërmjet shtresave dhe fanatizmin që çonte madje deri në vrasje…[6]

  1. Sekreti i përzgjedhjes së Gadishullit Arabik

Allahu i Madhëruar i zgjodhi arabët për pranimin e kësaj feje, e më pas edhe kumtimin e saj tek bota mbarë, për arsyet në vijim:

  1. Zemrat e tyre, në krahasim me të tjerët, e me theks të veçantë romakët, persianët, indianët, që vuanin nga probleme shpirtërore dhe ideore gati pothuajse të pazgjidhura, ishin (më) të pastra. Ata nuk ishin të ndikuar nga faktorët e jashtëm, fe apo ideologji qofshin ato.
  2. Ata (deri diku) ishin në fitre (fe të pastër, ose e kishin të freskët fenë e Ibrahimit [alejhis salatu ves selam]), ishin njerëz me vullnet të fortë dhe të gatshëm çdoherë për t’u sakrifikuar për të vërtetën.
  3. Ishin seriozë dhe aktualë, nuk ishin të mbrapshtë dhe nuk tradhtonin askënd. E kishin bërë shprehi thënien e së vërtetës dhe vendosmërinë e lartë.
  4. Arabët nuk vuanin nga luksi dhe shpenzimet e tepruara, kështu që do të ishte e vështirë t’i largoje prej diç me të cilën do të kishin qenë të familjarizuar.
  5. Ishin njerëz të sinqertë, e mbanin fjalën dhe ishin trima. Hipokrizia nuk ishte pjesë e karakterit të tyre.
  6. Ishin luftëtarë të zotë, kalorës me nam, trima të mëdhenj në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ishin asketë. Kalorësia ishte një ndër karakteristikat më të theksuara të tyre…
  7. Fuqia e tyre mendore ishte e nivelit të lartë dhe, për fatin e mirë të tyre, ajo nuk qe harxhuar së koti me filozofira imagjinare dhe polemika shterpe të tipit bizantin… Ishin njerëz që e kishin marrë jetën me vullnet, vendosmëri dhe entuziazëm.
  8. Ishin njerëz që qenë zhvilluar në liri, barazi dhe dashuri për natyrën dhe nuk i ishin nënshtruar ndonjë qeverie të huaj…
  9. Dallimet ndërmjet arabëve dhe të tjerëve, duke iu referuar pikës paraprake, ishin vërtet të mëdha. Ata ishin edukuar në frymën e krenarisë dhe madhështisë, kështu që nuk pranonin t’i nënshtroheshin askujt, madje as princërve dhe mbretërve. Në periudhën paraislame, një mbret kishte kërkuar nga fisi Beni Temim një kalë por nuk ia kishin dhënë.
  10. Gadishulli Arabik ishte ndërmjet dy superfuqive të kohës që garonin ndërmjet vete, asaj të krishtere dhe zjarrputiste, asaj perëndimore dhe lindore dhe, me gjithë këtë fakt, kishte ruajtur lirinë dhe prestigjin duke mos iu nënshtruar asnjërës nga fuqitë e përmendura më sipër[7].
  11. Karakteret e tyre ishin si lëndët e para të papërpunuara në ndonjë uzinë dhe, normalisht, pastërtia dhe natyrshmëria ishte ajo që i shtynte ata nga humanizmi, përmbushja e premtimeve, bujaria, nderi, veçse atyre iu mungonin njohuritë që do t’ua zbulonin rrugën e vërtetë…
  12. Pozita gjeografike e arabëve ishte e atillë që shërbente si një pikë ndërmjet dy kulturave, asaj perëndimore materialiste dhe kësaj lindore shpirtërore…
  13. Edhe i Dërguari i tyre, por edhe vetë ata, me dëshirën dhe vullnetin e Zotit, ishin analfabetë, ashtu siç thotë Allahu:

 “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.” (el-Xhumuah, 2)

Ai, i Dërguari i tyre, nuk pati lexuar më parë dhe as që dinte të shkruante, dëshmi kjo për vërtetësinë e pejgamberisë së tij dhe arsye për të mos dyshuar në të.

  1. Allahu i Madhëruar e bëri Qabenë, e cila ishte vendkthim dhe siguri për njerëzit, shtëpinë e parë për njerëz për adhurim dhe kryerje të ceremonive fetare, si vërtetim të fesë se pastër të Ibrahimit [alejhis salatu ves selam] dhe shtrirje të saj deri në amshim…
  2. Allahu me urtësinë e Tij caktoi që gjuha e Librit të Tij, Kur’anit, të jetë gjuha arabe, gjuhë kjo që shquhet për specifikat, karakteristikat dhe dallimet nga gjuhët e tjera. “…Më së miri All-llahu e di ku ta vërë dërgesën (risalen) e Vet…”[8]

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)

 


[1] Parafrazim nga: Nedevi, Es-Sirtu’n Nebevijjeh, f. 39-42.

[2] Ibid.

[3] Buti, Muhammed Seid. Fikhu-s-Sire, f. 30. Shih edhe: Shehristani.El milel ve’n nihal, v.2, f. 86-87.

[4] Ibid.

[5] Ibid, 33-34.

[6] Ibid, 37-38.

[7] Ibid, f. 42-49.

[8] Pjesë e ajetit 124 të kaptinës el-En’amë. Shih: Buti, Muhammed Seid Ramadan, f. 30-33.