SHKENCA E KIRAETEVE, DISIPLINAT E SAJ, DALLIMET NDËRMJET KIRAETEVE DHE RIVAJETEVE, DHJETË LEXUESIT DHE TRANSMETUESIT E TYRE

0
529

 

Ky kapitull ka rëndësi të veçantë, për faktin se në të parashtrohen disa mesele me rëndësi të veçantë sa i përket çështjes së kiraeteve e të cilat lexuesi i nderuar duhet t’i dijë.

E shohim të rrugës të fillojmë me përcaktimin e kuptimit shkencor të kiraeteve, respektivisht asaj se çfarë nënkuptohet me Shkencën e Kiraeteve?

Në librin It’hafu fudalai el-besher fi el-kiraati el-erbeati asher këtë shkencë e ka definuar si më poshtë:

Shkenca e Kiraetit është shkenca nëpërmjet së cilës mësohet për pajtimet dhe dallimet e transmetuesve të leximit të Kur’anit, përkitazi me atë se kur duhet fshirë një fjalë e kur duhet vërtetuar, kur duhet vokalizuar e kur jo, kur duhet shkëputur e kur duhet lidhur, e gjëra tjera nga pikëpamja e dëgjimit, si: forma e shqiptimit, ndërrimi, zëvendësimi, etj.

Ose mund të definohet si:

Shkenca e mënyrës së interpretimit të fjalëve kur’anore dhe dallimit ndërmjet tyre duke ia atribuuar transmetuesit përkatës.”[1]

Sa i përket sqarimit të kuptimit të kiraetit, rivajetit, tarikut, dijetarët  kanë dhënë këto shpjegime:

  • Kiraet quhet secili dallim në performim që i atribuohet një Imami për profesionalizmin dhe mjeshtërinë e të cilit janë të një mendimi ruvatët (transmetuesit).
  • Rivajet quhet çdo gjë që i atribuohet transmetuesit nga Imami.
  • Tarijk quhet çdo gjë që i atribuohet një marrësi nga transmetuesit edhe nëse nuk është shumë kredibil[2].

Ndërsa sa i përket llojeve të kiraeteve nga aspekti i transmetimit të tyre, Imami i njohur Muhammed bin Xhezeriu, në librin Munxhid el-mukriine ve irshadu et-talibine ka thënë: “Kapitulli II: Rreth Kiraetit mutevatir, sahih dhe shadh” për të vazhduar më pas me shpjegimet:

 

Kiraeti mutevatir

Secili lexim që përputhet absolutisht me arabishten dhe me ndonjërin prej mus’hafëve të Uthmanit, qoftë edhe të supozuar por të përcjellë në mënyrë tevatur, atëherë për këtë lexim thuhet se është mutevatir dhe i pa mëdyshje në të.

Shpjegimi i këtij definicioni:

  • që përputhet absolutisht me arabishten” qoftë edhe me ndonjë formë të gramatikës, si p.sh., leximi i Hamzait në rasën gjinore të fjalës “وَالْأَرْحَامِ” në ajetin e parë nga kaptina Nisa. Po kështu edhe leximi i Ebu Xha’ferit, pjesë e ajetit 14 nga kaptina Xhathije.
  • që përputhet me ndonjërin prej mus’hafëve të Uthmanit” respektivisht prej kopjeve që Uthmani r.a., i kishte shpërndarë gjithandej nëpër vendet islame. P.sh., Ibën Kethiri ajetin 72 nga kaptina Teube e ka lexuar me një shtesë të parafjalës min (مِن):  Kjo shtesë gjendet vetëm në kopjen e dërguar në Mekkë.

“qoftë edhe të supozuar”, pra të atillë që është e mundshme sipas shkrimit Uthman, si p.sh., leximi i atyre që ajetin 4 nga kaptina Fatiha: “مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ”, respektivisht fjalën Malik e lexojnë me elif edhe pse në të gjitha kopjet është e shkruar pa të. Shkrimi ndonëse pa elif ofron mundësinë që të lexohet me të, ngjashëm siç është vepruar me emrat Kadir dhe Salih dhe të tjerë të cilët janë shkruar pa elif ndërsa janë lexuar me të.

  • “mutevatir” transmetimi i përcjellë nga një grup i besueshëm tek tjetri deri në mbarim, i cili parasheh dijen pa kufizim të numrit. Ky është mendimi më i saktë edhe pse disa e kanë përcaktuar numrin duke mos ofruar një numër të caktuar. Disa thonë gjashtë, të tjerë dymbëdhjetë, të tjerët njëzet, disa të tjerë dyzet e ka të atillë që thonë se duhet të jenë shtatëdhjetë.

Në kohën tonë kiraetet që kanë përmbledhur këto tre shtyllat janë kiraetet e dhjetë Imamëve të cilat unanimisht janë pranuar. Fjala është për Imamët: Ebu Xhaferi, Nafiu, Ibën Kethiri, Ebu Amri, Ja’kubi, Ibën Amiri, Asimi, Hamza, Kesaiu dhe Halefi.  Sot nuk ka kiraet tjetër jashtë këtyre dhjetë kiraeteve, të cilit mund t’i thuhet mutevatir.

 

Kiraeti sahih

Ky lloj i Kiraetit ndahet në dy pjesë:

  • Kiraete që ka varg të saktë transmetuesish, pra i përcjell nga një transmetues i drejtë e i përpiktë tek tjetri deri në mbarim, dhe që përputhet me gjuhën arabe dhe shkrimin – resmin. Ky lloj ndahet në dy nënlloje:
  • Lloj që është përcjellë me të madhe dhe të cilin dijetarët e kanë pranuar unanimisht sikur që me të janë veçuar disa transmetues dhe libra të pranuara. Të këtilla janë p.sh., shkallët e lexuesve sa i përket zgjatimit apo medit siç njihet në lëmin e Kiraetit. Ky lexim është i pranuar dhe prerazi dëshmohet për të se është i shpallur nga qielli, pra është një prej shtatë hurufeve[3] që i janë shpallur Pejgamberit ﷺ. Ky lloj i bashkëngjitet Kiraetit mutevatir edhe pse nuk e ka arritur nivelin e tij.
  • Lloj që ymeti nuk e ka pranuar dhe që nuk ka transmetues të shumtë. Shumë dijetarë e lejojnë leximin sipas tij, madje edhe në namaz, ndërsa të tjerë si Ebu Amër bin Salahu konsiderojnë se çdo lexim jashtë dhjetë kiraeteve është i ndaluar rreptësishtë.
  • Kiraet që ka varg të saktë transmetuesish dhe që përputhet me arabishten por jo edhe me resmin. Të kësaj natyre janë shtesat apo heqjet e fjalëve apo edhe ndërrimet e tyre. Kështu është transmetuar p.sh., nga Sahabet e nderuar Ebu Derda r.a., Omeri r.a., Ibën Mes’udi r.a., e të tjerë. Ky lexim sot quhet shadh – i pazakonshëm, i çrregullt, për shkak se bie ndesh me shkrimin e mus’hafit rreth të cilit myslimanët janë unanimë. Së këndejmi, ky lexim, edhe nëse ka varg të saktë transmetuesish, nuk lejohet të përdoret, aq më pak në namaz. Dijetarët e Bagdadit njëzëri janë deklaruar përkitazi me qortimin apo ndëshkimin që Imami Ibën Shenbudh duhej të merrte dhe me atë se ai duhej të pendohej nga leximi shadh që bënte dhe që ua mësonte të tjerëve. Imami Ebu Omer bin Abdul Berri pohon se ndalohet leximi me kiraet shadh me unanimitet –ixhma’, dhe se nuk lejohet falja e namazit pas imamit që lexon me kiraete të këtilla.

Ndërsa sa i përket leximit që përputhet me ndonjërën prej kuptimeve apo shkrimit por që nuk është i transmetuar nuk quhet shadh (i pazakonshëm, i çrregullt) por i sajuar. Kush e shpik atë qëllimisht konsiderohet se ka bërë kufër – ka dalë nga feja[4].

Sa varg të bukur ka thurur Ibën Xhezeriu ndërsa ka folur për këtë:

 

Çdo lexim që me gramatikën përputhet dhe

që në një ose formë tjetër brenda resmit përfshihet,

——————————————-

dhe që varg transmetuesish të saktë ka

llogarite për Kur’an se këto janë tre shtylla, tjera nuk ka

————————————————

E kurdo që një shtyllë çrregullim pëson, konstatoje për shadh

edhe nëse brenda shtatëshit figuron [5]

 

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA


[1] Benna, It’hafu fudalai el-besher bi-l-kiraati el-erbeati ashere, f. 6.

[2] Xhadu, Sherhu ibrazi el-meani min Hirzi el-emani, 1/25; El-Kadi, El-budur ezzahire fi-l-kiraat el-ashr el-mutevatire, f. 8-9; Hamid, El-kiraat ve etheruha fi et-tefsir ve el-ahkam, 1/113; El-Xhezeri, Enneshru fi el-kiraat el-ashr,  9-11.

[3] Sa i përket shtatë hurufeve dhe kuptimeve të tyre, dijetarët kanë dhënë mendime të shumta. Sujuti ka numëruar deri në dyzet mendime. Tre mendime merren si më të sakta: i pari: për qëllim është moskufizimi. Numri shtatë -siç përdoret në arabisht- ka ardhur për shtim, jo kufizim; i treti: shtatë dialektet e arabëve që t’i përfshijë të gjithë; i treti: shtatë aspekte të kuptimeve të përbashkëta me shprehje të ndryshme, p.sh., për fjalën eja janë përdorur shprehje të ndryshme, si: ekbil, teala, helumme, etj. Allahu e di më së miri! Shih: Salah bin Semir Muhammed Miftah “El-ahruf es-seb’ah ve ma jenbegi i’tikaduhu fiha”, https://www.alukah.net/, shfletuar më 20. 5. 2022.  Përkthyesi.

 

[4] El-Xhezeri, Munxhid el-mukri’ine ve murshid ettalibine, f. 18-19; El-Xhezeri, Enneshru fi el-kiraat el-ashr, f. 9-13; Benna, Ithafu fudalai el-besher bi-l-kiraati el-erbeati ashere, f. 48-55; Xhadu, Sherhu ibrazi el-meani min Hirzi el-emani, 1/20-21; El-Kadi, El-kiraat esh-shadheh ve tevxhihuha fi lugati el-arab, 5-8.

[5] El-Xhezeri, Metnu Tibet enneshri fi-l-kiraati el-ashri, f. 32.