VETMIMI NË SHPELLË DHE FILLIMI I SHPALLJES

Vetmimi në Hira

Në kohën kur Muhammedi [alejhis salatu ves selam] po i afrohej të dyzetave, tek ai kohë pas kohe filloi të shfaqej dëshira për t’u vetmuar. Hira-ja, një kodër në veriperëndim të Mekës, ishte një vend në të cilin vetmohej dhe merrej me adhurim për net të tëra, madje deri një muaj të tërë. Pastaj, kthehej në shtëpi, por nuk qëndronte gjatë dhe prapë i kthehej vetmisë. Kështu vazhdoi derisa Xhibrili ia zbriti shpalljen…

Mësimet dhe këshillat e përfituara

Kjo vetmi gjithsesi se përmban domethënie madhështore. Ajo doemos se ka luajtur një rol të madh në jetën e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], e patjetër se luan edhe tek pasuesit e tij, hoxhallarët. Se ç’rëndësi ka do të mundohemi ta mësojmë nga shtjellimi në vijim:

  1. Besimtari nuk do të mund ta perfeksionojë besimin e tij dhe nuk do të mund të stoliset me moral të mirë nëse nuk ndan kohë për t’u vetmuar me Allahun, për ta llogaritur veten, për të medituar për madhështinë e krijesave të Tij… Nëse kjo vlen për çdo musliman, atëherë për ata që mendojnë të marrin pozitën e thirrësve, këshilluesve dhe liderëve, patjetër se vlen edhe më shumë.
  2. Shërimi i sëmundjeve shpirtërore, të tilla si: mendjemadhësia, zilia, syefaqësia, dashuria për dynjanë, ka nevojë për vetmi. Njeriu patjetër duhet të ndalet dhe, kohë pas kohe, të meditojë për të vërtetën mbi këto sëmundje dhe për nevojën e madhe që Allahu t’i japë sukses. Pra, duke menduar për vartësinë e tij prej Allahut, për llogaritjen në Ditën e Kiametit dhe duke e shëtitur mendjen në këto kopshte madhështish, njeriu arrin ta zhveshë zemrën nga këto sëmundje të rrezikshme…
  3. Kultivimi i dashurisë për Allahun në zemra është një gjë tjetër, të cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Kjo për faktin se kjo dashuri nuk realizohet vetëm nga besimi teorik, ngase kështu orientalistët do të ishin në krye të besimtarëve… A të ka rënë të dëgjosh ndonjëherë që ndonjë shkencëtar apo matematikan ka sakrifikuar jetën e tij për ndonjë formulë?!

Kësisoj, rruga për të realizuar dashurinë e Allahut, është meditimi mbi faktet dhe argumentet e Tij, mbi mirësitë dhe dhuntitë e Tij, si dhe përkujtimi i shpeshtë i Tij… Dhe të gjitha këto nuk do të mund të arrihen kurrë nëse më parë nuk je larguar nga pengesat e dunjasë dhe nëse nuk ke organizuar një kohë të caktuar vetëm për to…

  1. E kur dashuria për Allahun të ketë pushtuar zemrën, atëherë asgjë nuk mund të dalë si pengesë para saj, sikurse që asgjë, pavarësisht kostos, nuk mund ta pengojë atë. Kjo është ajo që besimtarët duhet ta kenë patjetër në pronësi të tyre, është pajisje pa të cilën nuk bën dot. Kjo është gjëja me të cilën Allahu e përgatiti Muhammedin [alejhis salatu ves selam] për misionin e tij… Kjo për shkak se motivet shpirtërore bëjnë më shumë se ç’bën vetëm të kuptuarit mendor…
  2. Dijetarët janë unanimë sa i përket asaj se duhen përdorur mjete të ndryshme për realizimin e këtyre motiveve shpirtërore, madje disa prej tyre edhe e kanë emërtuar atë ‘Ilmu’s suluk’ (Shkenca mbi sjelljen). Për këtë shih mendimet e Shehu’l Islam Ibni Tejmije-s në Fetava, vol. 10. Sigurisht se vetmimi i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] ka qenë një prej këtyre mjeteve…
  3. Vetmia nuk duhet të kuptohet në mënyrë ekstreme, si izolim i tërësishëm nga njerëzit. Disa kanë gabuar në këtë drejtim. Ata i janë shmangur kontakteve me njerëzit, kështu që kanë banuar në shpella dhe vende të braktisura. Kjo nuk përputhet me udhëzimin pejgamberik. Izolimi apo vetmia është në fakt si një ilaç që duhet marrë vetëm atëherë kur të ndiesh se je sëmurë, ndryshe mund ta pësosh keq. Atë që mund ta hasim tek disa njerëz të mirë (asketë) nuk mund ta marrim si argument; ajo ka të bëjë vetëm me ata.

Fillimi i shpalljes[1]

Aishja rrëfen për vetë ngjarjen, për dritën e cila filloi ta shpërndajë terrin dhe errësirën e mosbe­simit e të laj­thitjes. Me anën e kësaj drite fillon të ndryshojë rrje­dha e jetës dhe fati i historisë.

Aspekti i parë i Shpalljes së Resulullahut ka qenë “er-ru’ja es saliha” – vegime të vërteta. Këto ëndrra i vinin sikurse agimi i mëngjesit dhe menjëherë pas kësaj vetmohej në shpellën Hira. Çdo herë bëhej më i devotshëm dhe më i përshpirtshëm. I jepej ibadetit disa net rresht, e para vaj­tjes në Hira fur­ni­zohej me ushqim në shtëpi, vizitonte Hatixhen radijAllahu anha, pas­taj tërhiqej në vetmi.

Kjo zgjati gjer te paraqitja e Xhibrilit, i cili i erdhi një ditë Resulullahut në shpellën Hira e i tha: “Ikre!” – “Lexo, mëso!”

“Unë nuk di të lexoj”, – u përgjigj Muhammedi.

Pastaj vazhdoi: “Më përqafoi dhe më shtrëngoi aq sa më kaploi mundimi. Këtë e përsëriti tri herë, e pastaj më lëshoi dhe më tha:

“Lexo në emër të Zotit tënd, i cili ka krijuar (çdo gjë). Ka krijuar njeriun prej gjaku të ngjizur. Lexo, se Zoti yt është më bujari, që ia mësoi njeriut penën (të shkruajë), që njeriut ia mësoi atë që nuk dinte”. (El-Alak, 1-5).[2]

Pastaj Resulullahu u kthye në shtëpi i tronditur dhe i shqe­tësuar, hyri te Hatixhja dhe i tha: “Më mbulo! Më mbulo!” I tregoi asaj “lajmin” e tha: “Kam pasur frikë për veten”, e H. Hatixhja iu përgjigj: “Jo, jo për Zo­tin, Allahu ty kurrë nuk do të të turpërojë, sepse ti je njeri që i viziton të afërmit e tu, kujdesesh për të varfrit, e kompenson të hum­burën, e gostit mysafirin, i ndihmon të tjerët dhe ndjek të drejtën gjithnjë.”

  1. Hatixhja shkoi me Muhammedin te djali i axhës së vet, që quhej Vereka b. Neufel b. Esed b. Abdi Uzza. Ky njeri e kish­te pranuar Krishterimin në kohën e xhahilijetit. E njih­te shkrimin e vjetër hebraik, e kjo ia kishte mundësuar përshkrimin (transkriptimin) e disa pjesëve të Ungjillit.

Ishte plak i këputur (shumë i moshuar) dhe i verbër. Hatixhja i tha: “O djalë i xhaxhait, dëgjoje tregimin e djalit të vëllait tënd”, e Vereka i tha (Resulullahut): “O djali i vëllait tim, më trego çka ke parë?” Resulullahu  ia shpjegoi ndodhinë që e kishte përjetuar në shpellën Hira. Vereka e dëgjoi mirë dhe i tha: “Ky ka qe­në i besuari i Zotit, të cilin Allahu  ia ka dërguar edhe Mu­sait. Sikur ta kisha fatin të isha i ri, sikur të donte Zoti të jem gja­llë, kur populli yt do të të dëbojë.” Resulullahu  tha: “Mos, vallë do të më persekutojnë ata?” “Po. Dije se as­njeri që ka sjellë diçka, sikurse ti, nuk ka qenë pa armiq. Nëse e pres atë di­të, do të të ndihmoj me gjithë zemër.”

Nuk kaloi shumë kohë pas kësaj, Vereka vdiq. Edhe shpallja u ndërpre për një kohë.[3]

Taberaniu dhe Ibni Hishami transmetojnë disa plotësime, të ci­lat ja­në të dobishme. Për shembull: Pas shpalljes, Resulullahu ka dalë i habitur nga shpella Hira, pastaj është kthyer menjëherë prapa, ka qëndruar pak kohë dhe ka shkuar në Mekë. Tradita e Taberaniut hedh një shkëndijë në shembullin e daljes së tij. Ja teksti i tij:

Resulullahu ka thë­në: “Nga krijesat e Allahut më së tepërmi kam urryer bejtexhinjtë dhe të çmendurit. Nuk kam pasur dëshirë as t’i shoh me sy. U kam thënë kurejshëve që kurrë të mos flasin me ta për mua…”Pastaj vazhdoi: “Kur arrita në mes të malit, dëgjova një zë nga qielli që më tha: “O Muhammed! Ti je i Dërguari i Allahut, e unë jam Xhibrili.” – Pejgamberi shtoi: “E ngrita kokën nga qielli dhe e pashë Xhibrilin në figurën e njeriut. I shihja vetëm këmbët që i arrinin gjer në qiell.” Ai përsëri tha: “O Muhammed! Ti je i Dërguari i Allahut, e unë jam Xhibrili.” Pejgamberi tha: “U ndala dhe fillova ta shikoja, nuk u nisa as përpara as mbrapa. Gjithnjë mundohesha ta largoja shikimin prej tij, në anën tjetër të qiellit, por ngado që ktheja kokën, aty ndodhej edhe ai. Kështu qëndroja në vend, as përpara as mbrapa, derisa Hatixhja dërgoi dikë që të më thërriste për t’u kthy­er. Lajmëtarët vinin dhe ktheheshin në shtëpi, e unë nuk mund të lëvizja nga vendi. Pastaj Xhibrili shkoi, e unë u ktheva në familjen time.[4] Kur arrita në shtëpi, u ula afër Hatixhes dhe u mbështeta tek ajo, e ajo më tha: “O Ebu Kasim, ku ishe? Pasha Allahun, i kam dërguar njerëzit që të të kërkojnë nëpër tërë Mekën, por nuk të gje­tën.” Mandej unë i tregova se ç’kisha parë e ajo tha: “Më gëzo, o kushëri, dhe ma vërteto. Pasha Krijuesin dëshiroj të jesh Pejgamber i këtij umeti.”[5] Pastaj ajo u ngrit dhe shkoi te Vereka dhe e njoftoi për ngjarjen, kurse Vereka iu përgjigj: “Kuddusun, kuddusun – O Allah, O Allah! Pasha Atë në duart e të cilit është shpirti im, Muhammedit i ka ardhur i besueshmi i Allahut, i cili i ka ar­dhur edhe Musait. Ai është Pejgamber i këtij umeti (populli). Thua­ji atij, oj Hatixhe, le të jetë i fortë dhe i qëndrue­shëm.” Ha­tixhja, radijAllahu anha, u kthye dhe ia tregoi fjalët e Verekës.

Kur Resulullahu e kreu qëndrimin në shpellën Hira, u kthye në Mekë. Atëherë Vereka e takoi dhe pasi dëgjoi rrëfimin e Resulullahut, i thotë: “Pasha Atë në duart e të Cilit është jeta ime, ti je Pejgam­ber i këtij umeti. Të ka ardhur i besueshmi i Allahut, i cili i ka ardhur edhe Musait.”[6]

Ndërprerja e Shpalljes

Se sa ka zgjatur ndërprerja e shpalljes, është një pyetje që kërkon për­gjigje. Ibni Mes’udi transmeton nga Ibni Abbasi lajmin që shkon në favor të atyre që thonë se ndërprerja ka zgjatur ditë me radhë.[7] Ky men­dim do të ishte më i fuqishmi dhe më i sakti, pas shqyrtimit të të gji­tha rrethanave rreth kësaj ngjarjeje. Megjithatë, mendimi se ndërprerja ka zgjatur plot tre vjet ose dy vjet e gjysmë, nuk është i saktë. Por këtu nuk është vendi që ta shpje­gojmë këtë. Është me rëndësi të dimë se Resulullahu, në kohën e ndërprerjes së Shpalljes, ka qenë gjithnjë i deprimuar, i pikë­lluar, i hutuar dhe i befasuar. Buhariu, në librin e vet El-Te’abir, rrëfen si vijon: “Shpall­ja u ndërpre dhe kjo e pikëlloi Resulu-llahun…i paraqitej Xhibrili, i cili thoshte: “O Muham­med, ti me të vërtetë je i Dërguari i Allahut.” Këto fjalë i jepnin për­sëri fuqi dhe vullnet për jetë, e kur iu zgjat sërish periudha e ndërprerjes së Shpalljes, ai përsëri shkonte në mal, përsëri ndodhte e njëjta gjë dhe me fjalët e Xhibrilit kthehej mbrapa i inkurajuar.”[8]

Xhibrili paraqitet për herë të dytë

Ibni Haxheri thotë: “Kjo ka ndodhur (ndërprerja e Shpalljes që ka zgja­tur ditë me radhë) me qëllim që Resulullahu të lirohej nga frika dhe të fitonte përsëri vetëbesim. Kur është zhdukur paven­dosmëria, kur janë vërtetuar shenjat e së vërte­tës dhe kur Resulu-llahu ka qenë i vetëdijshëm për bindjen e fuqishme se është bërë Pej­gamber i Allahut të Lavdëruar dhe të Lartësuar, dhe se Xhibrili është transmetues i Shpalljes e jo ndonjë halucinacion, se ky është ai që do të mbarte Shpalljen nga qielli, ve­tëm atëherë, në qetësimin dhe në baras­peshimin e plotë shpirtëror, i erdhi përsëri Xhibrili, përkatësisht për të dytën herë.”

Buhariu transmeton nga Xhabir b. Abdullahu, i cili e ka dëgjuar Resulullahun,  duke shpjeguar ndërprerjen e Shpalljes, të thotë: “Ndërsa shkoja (përtej malit) dëgjova një zë nga qielli. Ngrita shiki­min lart dhe e pashë engjëllin, i cili më pat ardhur në Hira. Rrinte ulur në një karrige, e cila qëndronte pezull, as në qiell e as në tokë, atëherë pata frikë nga ai dhe ula shikimin në tokë. U ktheva në shtëpi dhe ashtu i frikësuar, thashë: “Më mbuloni! Më mbuloni!”, e ata më mbuluan, kurse Allahu shpalli:

“O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thi­rrur) gjer te fjala fehxhur, mandej shpallja ka ardhur rregullisht.”[9]

Mësimet dhe këshillat e përfituara nga fillimi i shpalljes

  1. Hadithi i ‘fillimit të shpalljes’ është themel mbi të cilin ndërtohen të gjitha të vërtetat e fesë, që nga besimi e deri te ligjet, ndërsa kuptimi i tij dhe bindja në të janë dy parakushte për t’u bindur në tërë fenë, me të cilën u dërgua Muhammedi [alejhis salatu ves selam].

Nga këtu, nuk është për t’u çuditur pse armiqtë e Islamit e trajtojnë aq shumë punën e shpalljes (vahjit) dhe derdhin tërë atë mund dhe energji për të ndërlikuar kuptimet dhe domethëniet e saj duke e pështjellë atë me inspirim, vesvese, pëshpëritje, e madje edhe çmenduri. Për ta luftuar Islamin dhe zhvleftësuar kredon e tij, ato fokusohen pikërisht te shpallja – vahji…

Prej tyre pati të atillë që dhanë mendimin se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] vazhdoi të meditonte derisa vetvetiu zbuloi një kredo me të cilën mendonte se mund ta zhdukte idhujtarinë. Ata pretendojnë se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e mori Kur’anin dhe parimet e Islamit nga prifti Buhajra… Kishte edhe të atillë që e akuzonin Muhammedin, [alejhis salatu ves selam] për të çmendur dhe fanatikë.

  1. Çuditja e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] nga befasia e pamjes së Xhibrilit [alejhis salatu ves selam] i cili i thoshte: Lexo! Është për të kuptuar se Vahji nuk është diç e brendshme, nuk është nga të folurit e brendshëm (vesi, përshpirtja) por është diç që po pranohet, takim me një të vërtetë të jashtme, që nuk ka të bëjë aspak me vetveten (akuzat se nuk është fjala për melek por për imagjinatë, iluzion etj.)

Shtrëngimi i tij nga meleku tri herë dhe përsëritja e urdhrit: ‘Lexo!’ -janë një tjetër argument shtesë për atë që thamë më parë.

  1. Dukuria e shpalljes nuk ka ardhur si plotësuese e ndonjë gjëje që mund ta ketë imagjinuar njeriu. Jo. Befasia e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] flet për diç që nuk e ka pritur më parë… Ndryshe, inspirimi dhe gjërat e tjera që i përmendën ata nuk do të duhej të shkaktonin frikë, pasiguri, ndryshim gjendje…
  2. Fakt tjetër, po kështu nga vetë rasti, është se frika e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], kur u shtrëngua nga meleku, ishte jo prej melekut (ngase nuk e dinte) por nga ndonjë xhin. Ishte Hatixheja ajo që e qetësonte duke i thënë se një njeri sikurse ty xhinët nuk mund ta pushtojnë dhe nuk mund t’i bëjnë asnjë të keqe.
  3. Urtësia hyjnore parasheh që personaliteti i Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] pas shpalljes të jetë krejtësisht ndryshe nga ai i para shpalljes, për të shpjeguar kështu se kredoja islame nuk ishte diç në të cilën Muhammedit [alejhis salatu ves selam] i ishte mbushur mendja që t’i ftonte njerëzit më herët.
  4. Shkuarja e Hatixhes tek kushëriri i saj, Vereka, për të diskutuar mbi atë që i ndodhi të shoqit, flet për një lidhje vertikale të të gjithë pejgamberëve…

Ndërprerja e shpalljes për një kohë, po kështu, fsheh në vete një urtësi. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] nuk do ta shihte melekun për një kohë të gjatë, aq sa do të dyshonte se Zoti e kishte braktisur për ndonjë gabim të tijin. Kjo është për t’ua mbyllur gojën atyre që shpifin se kinse Muhammedi [alejhis salatu ves selam] nuk ka pasur kontakt me botën e jashtme (melekët)…

Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ishte analfabet dhe njeriu nuk mund t’i mësojë vetvetiu të vërtetat historike, si fjala vjen tregimi i Jusufit [alejhis salatu ves selam], nënës së Musasë [alejhis salatu ves selam] që hodhi të birin në det, tregimin e Faraonit, mu ashtu siç thotë Allahu:

“Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruaje atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit.” (el-Ankebut, 48)

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)


[1] Me kërkesë të vetë autorit kam bërë disa shtesa, siç është kjo këtu, e marrë nga ‘Nektari i vulosur i Xhennetit.’

[2] Atë natë Resulullahut i janë shpallur vetëm pesë ajete të sures El-Alek.

[3] Sahihu-l-Buhari: I/2, 3. Buhariu e ka nxjerrë këtë hadith nga libri “Tefsiri dhe komentimi i ru’jes”.

[4] Teksti nga Taberaniu: II/207.

[5] Teksti i Ibni Hishamit: I/237-238.

[6] Transmetuar në pika të shkurtra nga Ibni Hishami: I/238

[7] Fet’hu-l-Bari: I/27, XII/360.

[8] Sahihu-l-Buhari: Kitabu Tab’ir, kaptina që fillon me: Shenjat e para të Shpalljes te Resulullahu  kanë qenë me anë të er-ru’ja saliha, II/34.

[9] Sahihu-l-Buhari: Libri El-Tefsir, II/733.

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments